Salih Kabashi

My blogs

About me

Introduction Kam lindur në Tomoc. Besa, në letra shkruan Llukavc i Begut. Vendbanimi im deri më 1982 - Gurra e Kocit. Atë vit më patën përjashtuar edhe nga puna edhe nga Kosova. Një pjesë të fëmijërisë së hershme e kam kaluar (edhe) në Pejë, buzë Bistricës dhe afër Xhamisë së Puhovcit - te tezja Manë. Ajo e ka pasë shtëpinë në krye të shehrit. Lart kah Gryka. Rininë, duke përfshirë shkollën e mesme dhe stazhin e gjatë të profesurës në Shkollën e Artit, i kam kaluar në Pejë e në katund, paralelisht. Në Pejë e kam parë katër herë burgun dhe nja 40 herë zyrat e UDB-së ngjitur me burgun. Kam mbaruar Albanologji, gjë që për regjimin komunist ka qenë faj. Faji tjetër dhe për mua nderi dhe kujtimi më i bukur ka qenë diplomimi në një ditë dhe në një orë me Jusuf Gërvallën. Prishtina nuk më ka pëlqyer. Aty kishte dhe ka ende kallabllëk të padurueshëm titistësh dhe servilësh të neveritshëm që i thonë vetes atdhetarë. Nuk e doja as Istogun, kishte shumë budallenj në trajta kryetarësh e sekretarësh… Ishin politikisht analfabetë. Kam qenë në opozitë me ta. Ishin më të fuqishëm se unë. Qe nja dhjetë vjet, edhepse hala kanë pushtet, para meje shfaqen si pula të lagura. Dikur kërcënonin, tash bëjnë lajka!